Prodhimi i energjisë arrin 568 mijë MWh në maj, rritet lehtë ngarkesa në sistem

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) publikoi treguesit kryesorë të sistemit energjetik për muajin maj.
Sipas raportit, prodhimi total i energjisë elektrike në vend arriti 568,260 MWh, me një strukturë që vazhdon të dominohet nga burimet hidrike.
Prodhimi nga hidrocentralet përbën pjesën më të madhe, me 145,405 MWh nga HEC-të me derivacion dhe 357,442 MWh nga HEC-të me rezervuar. Prodhimi nga termocentralet (TEC) ishte relativisht i ulët, në masën 2,900 MWh, ndërsa prodhimi nga panelet fotovoltaike (PV) arriti në 62,513 MWh, duke reflektuar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm të energjisë diellore në miksin energjetik.
Nga ana tjetër, ngarkesa totale në sistemin energjetik shqiptar në maj 2025 ishte 530,3 GWh, duke shënuar një rritje prej 6,7 GWh krahasuar me majin e vitit të kaluar, kur ngarkesa totale ishte 523,6 GWh. /j.p/
