PARIS – Macron kërkon rifillimin e bisedimeve bërthamore me Iranin

PARIS, 20 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar se programi bërthamor i Iranit përbën një rrezik në rritje dhe ka bërë thirrje për përpjekje të menjëhershme diplomatike për të rifituar kontrollin ndaj tij.
“Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim dhe nuk mund të ketë vetëkënaqësi për këtë çështje”, tha sot Macron në Paris.
Por, ai nuk ofroi mbështetje për sulmet ajrore të vazhdueshme të Izraelit ndaj Iranit.
“Askush nuk mund të pretendojë seriozisht se operacionet aktuale ushtarake janë një përgjigje ndaj këtij kërcënimi”, tha Macron.
Ai vuri në dukje se objektet bërthamore të Iranit ishin të mbrojtura dhe se vendndodhja e saktë e rezervave të vendit me uranium të pasuruar 60% aktualisht, ishte e panjohur.
“Ky është një program që duhet të vihet sërish nën kontroll përmes mbikëqyrjes teknike dhe negociatave”, theksoi ai.
“Rifillimi i bisedimeve thelbësore duhet të jetë një përparësi absolute”, tha Macron.
“Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania po i përafrojnë qëndrimet e tyre kur bëhet fjalë për Iranin”, shtoi ai.
Ministrat e Jashtëm të tre vendeve do të takohen sot me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi rreth orës 15:00 në Gjenevë.
Macron tha se fuqitë evropiane do të paraqisnin një propozim për një zgjidhje diplomatike që përfshinte disa pika.
Propozimi përfshin Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) – e cila duhet të rifillojë punën në Iran dhe të ketë qasje në të gjitha objektet, përfshirë kufizimin e aktiviteteve balistike të Iranit dhe financimin e përfaqësuesve të saj rajonalë. //a.i/