E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prodhimi i perimeve në serra, kontribut në rritjen e eksporteve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Hilni Zeneli, në Shkodër me një përvojë mbi 20-vjeçare në sektorin bujqësor, është i përkushtuar ndaj kultivimit të produkteve në serra, kryesisht rukola, pomodorini, borzilok, mente dhe sallatë mikse.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau historinë e tij në rrjete sociale, teksa bëri të ditur se, “prodhimi i tij, shkon në tregun vendas dhe atë rajonal, duke kontribuar në furnizimin me produkte cilësore Made in Albania dhe rritjen e ekonomisë rurale”.

Denaj tha se qeveria ka në fokus mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e prodhimit bujqësor vendas.

“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, u shpreh Denaj.

Sot bujqësia ka arritur një model suksesi falë investimeve të sipërmarrjes bujqësore në mbarë vendin, duke arritur në 572.4 milionë dollarë eksporte deri në fund të vitit 2024, ku kontribut kryesor jep prodhimi bujqësor në serra.

Sot janë 2164 hektarë serra, ndërkohë që synimi i MBZHR është që deri në vitin 2030, vëllimi i prodhimit të perimeve dhe mbjelljeve të tjera në serra të rritet me 1 mijë hektarë. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›