E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi “Hospitality Albania”, Ibrahimaj: Asetet shtetërore menaxhohen në bashkëpunim me privatin

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot programin “Hospitality Albania”, i cili do të menaxhohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur, në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, se programi parashikon administrimin e vilave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, me synimin për rikualifikimin dhe shfrytëzimin më efikas të aseteve shtetërore, në bashkëpunim me sektorin privat.

“Qëllimi kryesor i këtij programi është rikualifikimi dhe shfrytëzimi më efikas i aseteve shtetërore, përmes bashkëpunimit me sektorin privat dhe me synim krijimin e vlerës ekonomike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me privatin lidhet vetëm me menaxhimin e kapaciteteve shtetërore dhe se prona shtetërore nuk transferohet në asnjë rast.

“Dua të theksoj qartë se bashkëpunimi me sektorin privat lidhet vetëm me menaxhimin e kapaciteteve shtetërore. Në asnjë rast prona shtetërore nuk transferohet tek privati”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë Korporatës Shqiptare të Investimeve për të sqaruar statusin pronësor të sipërfaqeve përreth këtyre objekteve, në rastet kur ekziston mbivendosje mes pronës publike dhe private, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të programit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, foto: Andrin Hoxha 1 nga 2

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›