Programi “Rilindja 2.0”, 11 objektiva për zhvillimin rajonal

TIRANË, 28 maj /ATSH/ – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo prezantoi sot programin “Rilindja 2.0”, një paketë me 11 objektiva strategjikë që synojnë ndërhyrje në territor dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal.
Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Demo tha se programi synon krijimin e një modeli të ri zhvillimi lokal, duke kombinuar identitetin kulturor, inovacionin dhe teknologjinë moderne me nevojat e komuniteteve.
Sipas tij, programi do të fokusohet në forcimin e identitetit lokal përmes ndërtimit të muzeve lokalë, rigjenerimit të hapësirave industriale, përmirësimit të infrastrukturës publike dhe nxitjes së startup-eve në nivel vendor.
Demo theksoi se “Rilindja 2.0” synon gjithashtu zhvillimin e qyteteve inteligjente, transportin urban elektrik dhe përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në të gjithë territorin.