E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama viziton superfabrikën e oxhaqeve në Korçë: Eksporte “Made in Albania” në 30 vende të botës

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi superfabrikën e prodhimit të oxhaqeve në Korcë, të sipërmarrësit Arben Xega, një investim me teknologji bashkëkohore ku prodhohen mbi 100 modele ekologjike të vatrave të zjarrit, të destinuara kryesisht për eksport në rreth 30 shtete të botës.

Në këtë sipërmarrje janë të punësuar dhjetëra të rinj dhe banorë të zonës, me paga mesatare që variojnë rreth 70 mijë lekë.

Pronari i fabrikës, Arben Xega, u shpreh se kompania ka arritur të zgjerojë praninë në tregjet europiane.

“Nga radha e kaluar produktin e kemi dërguar edhe në Gjermani dhe ajo që ka ndodhur është se jemi bërë anëtarë të një kooperative gjermane, e cila ka 117 vite që është e themeluar dhe jemi kompania e parë e huaj anëtare e saj”, u shpreh sipërmarrësi.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje dhe prezantoi mundësitë e reja mbështetëse për bizneset prodhuese.

“Kjo është një ndërmarrje e mesme faktikisht. Kemi programin e ri me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë, që u ofron kompanive kredi me interesa më të ulëta dhe me garanci deri në 2 milionë euro, kështu që mund ta përdorësh”, u shpreh Kryeministri.

Kjo sipërmarrje konsiderohet një shembull i zhvillimit të industrisë prodhuese shqiptare, që përmes inovacionit, eksporteve dhe punësimit të të rinjve po forcon praninë e produkteve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

1 nga 8

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›