Programi i mësimit të IA i nisur në Harvard vjen në Shqipëri, 30 nxënës trajnim intensiv

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Programi i mësimit të Inteligjencës Artificiale, i nisur në Harvard, mbërrin në Shqipëri.
Akademi.al, në bashkëpunim me UNICEF Albania dhe qendrën teknologjike TUMO Albania, ka sjellë për herë të parë në Shqipëri programin ndërkombëtar “AI Hustle Lab”, një iniciativë që synon të fuqizojë të rinjtë përmes teknologjisë së Inteligjencës Artificiale dhe shpirtit sipërmarrës.
“Ky program synon të risë kapacitetet e fëmijëve të moshës 13-18 vjeç në fushën e mendimit kritik dhe sipërmarrjes duke përdorur Inteligjencën Artificiale si një mjet krijues dhe kritik”, tha themeluesi i Akademi.al, Dean Çelaj.
Pas suksesit të tij të parë në Cambridge Public Schools në Shtetet e Bashkuara, qyteti i njohur në mbarë botën për dy nga universitetet më prestigjioze, Harvard University dhe Massachusetts Institute of Technology (MIT), programi ka mbërritur në Tiranë, ku po zhvillohet në hapësirat moderne të TUMO Albania.
Në këtë trajnim intensiv dyditor, 30 nxënës të moshës 14-18 vjeç krijuan plane biznesi për startup-e të reja, duke përdorur mjetet më të fundit të inteligjencës artificiale.
“AI Hustle Lab” është krijuar nga dyshja student‑pedagog nga Harvard University: Victor Pereira Jr., pedagog në fushën e arsimit dhe udhëheqjes mësimore në Harvard Graduate School of Education dhe Dean Çelaj, themelues i Akademi.al në Shqipëri dhe GoTeacher në SHBA, dy platformave që synojnë të modernizojnë arsimin përmes teknologjisë.
“Programi është ndërtuar me kujdes nga unë dhe pedagogu im në Universitetin e Harvardit. Çdo hap kemi integruar ushtrime që nxisin mendimin kritik dhe punën në grup, duke mos e përdorur IA thjesht si një mjet për automatizim, por edhe si një partner në të menduar”, theksoi Çelaj.
Ky është një tjetër hap përpara drejt përfshirjes së të rinjve shqiptarë në zhvillimet më të fundit globale në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes.
/e.i//r.e//a.f/