Programi i reformave, rritje ekonomike nga turizmi dhe ndërtimi

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Ministria e Financave publikoi për konsultim publik Programin e Reformave Ekonomike (ERP) për periudhën 2026-2028, i cili paraqet politikat kryesore makroekonomike dhe fiskale të Shqipërisë, me synimin për të ruajtur stabilitetin dhe për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Programi fokusohet në rritjen e punësimit, garantimin e qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik.
Një pjesë e programit është dedikuar reformave strukturore në kuadër të “Planit të Ri të Rritjes” të Bashkimit Evropian, të cilat pritet të përmirësojnë trajektoren e rritjes potenciale të vendit dhe të nxisin konvergjencën ekonomike me standardet e BE-së.
Ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të lartë ndaj krizave të njëpasnjëshme, duke përfshirë tërmetin, pandeminë COVID-19 dhe tensionet gjeopolitike, dhe ka ruajtur fundamentet kryesore ekonomike dhe financiare.
Rritja ekonomike mesatarisht arriti 4,3% për periudhën 2022-2024 dhe për vitin 2025 parashikohet të mbetet 3,9%, e mbështetur nga sektorët e shërbimeve, turizmit ndërtimit, konsumit privat, investimeve dhe turizmit.
Për periudhën afatmesme 2026-2028, PBB-ja pritet të rritet me një normë mesatare prej 4%, ndërsa kërkesa e brendshme, investimet dhe eksportet e shërbimeve do të mbajnë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.
Konsumi përfundimtar pritet të rritet mesatarisht me 2,5% në vit, investimet me 6,6%, eksportet e mallrave dhe shërbimeve me 4,7%, ndërsa importet me 3,2%, duke rezultuar në një ndikim të lehtë pozitiv të kërkesës së jashtme neto. Nga ana e ofertës, industria do të rritet me 2,7% në vit, ndërtimi me 3,2%, shërbimet me 5,4% dhe bujqësia me 0,2%.
Politika fiskale do të vijojë të synojë konsolidimin gradual të borxhit publik dhe balancën primare pozitive, e cila parashikohet të arrijë 1% në vitin 2028.
Borxhi publik pritet të ulet nga 54,1% e PBB-së në 2025 në 46,4% deri në vitin 2031.
Shpenzimet kapitale do të qëndrojnë mbi 6% të PBB-së gjatë periudhës afatmesme, ndërsa deficiti buxhetor targetohet në 1,7%, duke siguruar një bilanc korrent pozitiv prej rreth 4,6%.
Sektori privat ka shënuar një rritje të fortë, me 9,5% gjatë vitit të fundit, duke përmirësuar fuqinë blerëse të familjeve.
Punësimi pritet të rritet ngadalë me 0,1% në vit gjatë periudhës 2026-2028, ndërsa shkalla e papunësisë pritet të bjerë gradualisht në 8,5% deri në vitin 2028.
Produktiviteti i përgjithshëm i punës pritet të përmirësohet lehtë, ndërkohë që sektori i shërbimeve do të ketë kontributin më të madh në rritjen e kërkesës për punë. /j.p/