E Diel, 1 Nëntor 2026

Himara synon turizëm gjithëvjetor, investime të shumta në infrastrukturë përgjatë 2026

Himara po hyn në një fazë të re zhvillimi, për të sjellë një ofertë të plotë turistike gjatë vitit 2026.
Në planin e shtruar për diskutim me grupet e interesit, ku i pranishëm ishte Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, drejtues të Agjencisë së Bregdetit dhe përfaqësues lokalë, u diskutuan projektet prioritare për ndërhyrjet në infrastrukturë dhe zhvillimin e ekonomive bujqësore në të gjithë territorin e Bashkisë.

“Himara është në fazë zhvillimi dhe më vjen mirë që kryetari me të gjitha investimet do ta çojë në një hap tjetër të turizmit vendas”, tha Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“E kemi orientuar të gjithë punën dhe të gjithë investimin në këtë drejtim për ta bërë Himarën një vend të vizitueshëm gjatë gjithë vitit, sepse i ka të gjitha potencialet për ta realizuar”, tha Vangjel Tavo, Kryetari i Bashkisë së Himarës.

Bashkia Himarë ka shënuar një rritje prej 280% të buxhetit krahasuar me një vit më parë, falë vjeljes së taksave, kryesisht asaj të ndërtimit.

Fondet e pushtetit vendor dhe qeverisë synojnë t’i japin zgjidhje përfundimtare brenda vitit 2026 çështjeve më kritike që lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm, menaxhimin e mbetjeve urbane, rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në çdo fshat, ndërtimin e shëtitoreve, kontrollin e ndotjes akustike, si dhe standardizimin e menaxhimit të territorit për dhënien e lejeve zhvillimore në bregdet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›