Progresraporti për Shqipërinë/ KE flet për protestat e dhunshme: Të gjitha palët të angazhohen në dialog konstruktiv

Në progres raportin për Shqipërinë për vitin 2026 janë përfshirë edhe protestat e të ashtuquajturit “Revolucioni flamingo”, si edhe protesta e dhunshme që përfshinë vendin ditët e fundit. Komisioni Europian thotë se protestat nisën nga shqetësimet mjedisore për resortin në Pishë Poro–Nartë. Raporti evidenton aktet e dhunës në protesta dhe pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve e gazetarëve. KE u kërkon të gjitha palëve të angazhohen në dialog konstruktiv.
Pjesë nga progres raporti
Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.
Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.
Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.
Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.
Lajmi kryesor:

