Projekt-ligj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, forcohet “Njohja e Klientit” dhe mbikëqyrja e OJQ-ve të konsideruara me rrezik të lartë

Ministria e Financave ka paraqitur për shqyrtim një projektligj për shtesa dhe ndryshime në Ligjin”Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”.
Qëllimi kryesor i ndryshimeve është forcimi i integritetit të sistemit financiar dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare, duke adresuar në mënyrë specifike rekomandimet e Financial Action Task Force (FATF), shkruan rtsh.al.
Një ndryshim thelbësor është zgjerimi i fushës së veprimit të ligjit. Projektligji propozon shtimin e përkufizimit të “Financimit të armëve të shkatërrimit në masë” (ADM), duke e inkorporuar këtë veprimtari kriminale në të gjitha nenet relevante që trajtojnë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Adresimi i rekomandimeve të FATF
Ndryshimet ligjore synojnë përafërimin me disa rekomandime specifike të FATF.
Një rekomandim ka të bëjë me vlerësimin e rrezikut. Projektligji vendos theksin tek kryerja e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut (NRA) nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) dhe hartimi i planit përkatës zbutës, duke detyruar një rishikim çdo katër vjet.
Lidhur me organizatat jofitimprurëse, përcaktohet rregullim i veçantë, sidomos ato të konsideruara me rrezik të lartë, për të parandaluar abuzimin e tyre për qëllime të paligjshme.
Nga ana tjetër, forcohen detyrimet për procedurat e “Njohjes së Klientit” dhe menaxhimin e të dhënave.
Projektligji parashikon rritjen e aftësisë së institucioneve shqiptare për të shkëmbyer informacion me homologët e huaj, duke rritur besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare dhe duke parandaluar vendosjen në lista të pafavorshme si ajo e FATF.
Projektligji, i hartuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, nuk pritet të ketë efekte të paparashikuara në buxhetin e shtetit.
/rtsh.al/