Projekt për rehabilitimin e Lanës, Veliaj: Ata që preken do të përfitojnë bonus qiraje dhe shtëpi falas

Gjatë prezantimit për rehabilitimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta te Rr. “Teodor Keko”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje të gjitha familjeve që preken nga projekti për të bashkëpunuar dhe të mos përdoren nga politika.
Ai siguroi se të gjitha këto familje do të përfitojnë për tre vite bonusin e qirasë, ndërsa më pas do të marrin banesë falas nga Bashkia. Veliaj tha se është koha për të bërë punë të mira dhe jo për t’u marrë me “fëmijë të llastuar, që nuk e pranojnë dot humbjen me 60 mijë vota diferencë në Tiranë, duke ironizuar Belind Këlliçin.
“Unë nuk bëhem dot ‘babysitter’ i çdo fëmije që humbet me 60 mijë vota diferencë në Tiranë dhe që llastohet pafundësisht për një humbje që nuk e pranon dot. Qytetarëve di t’u them se kush bashkëpunon i pari, do të përfitojë i pari banesë. Kush bashkëpunoi i pari te lagjja e re ‘5 Maji’, sot jeton në një super shtëpi. Kush vazhdoi të digjte goma dhe të përdorej mish për top, sigurisht po i merr shtëpitë tani, tek loti i fundit, sepse nuk bashkëpunoi me bashkinë, nuk firmosi kontratën. Përgjigjja për qytetarët është kjo: Që në fillim do të japim bonusin e qirasë dhe pastaj, do të transferohen në një banesë të re, të cilën as në ëndërr nuk krahasohet me ato aktualet buzë lumit të Lanës.”
Duke u ndalur te rasti i fundit në Këshillin Bashkiak, Veliaj tha se pavarësisht situatës së krijuar, vendimet do të merren, ashtu siç një prej tyre ishte miratimi i transferimit të godinës së Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri.
“Kur mendoj se në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, pavarësisht grushtit edhe sjelljes ordinere, që prodhojnë këto partiçka të mbetura në tentativë, “Bulevardi i Ri” është një shembull i jashtëzakonshëm suksesi. Pavarësisht se grushti banal errësoi vendimet e Këshillit Bashkiak, por një nga vendimet ishte transferimi i Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri. Ndërkohë, projekti që ka ardhur nga kompania amerikane, dhe besoj është në fazë shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, parashikon që në një nga ndërtesat, në një nga 3 kullat, të transferohet edhe godina e shërbimeve të bashkisë.”
Projekti i lumit të Lanës përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, të cilat do të shtrihen paralel me Lanën, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin. Segmenti i ri, i cili do të shtrihet përgjatë 1.8 kilometrave, do të përfshijë edhe ndërtimin e një shtrati të ri për lumin, me qëllim eliminimin e përmbytjeve të shpeshta dhe zhvillimin urban të zonës përreth./vizionplus.tv