ROMË – Mattarella: Ukrainës i duhet një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/- Sot, është më e rëndësishme se kurrë të përcjellim mesazhin se Kievi nuk është vetëm. Ky mesazh është thelbi i kësaj konference, tha presidenti italian Sergio Mattarella në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës sot në Romë.
“Nuk do të lodhemi kurrë së përsërituri – Ukrainës i duhet një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”, tha Mattarella.
“Dorëzimi ndaj shtypjes së më të fortit nuk do të ishte paqe”, tha ai.
“Paqja, në kushte të padrejta, është gjithmonë jetëshkurtër”, shtoi ai.
“Kjo është arsyeja pse kjo luftë shqetëson të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Zbatimi i ligjit ndërkombëtar pasqyron ndjenjën e përbashkët të njerëzimit”, tha presidenti italian.
“Nuk është një ushtrim abstrakt apo utopik”, theksoi ai.
Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e bashkëorganizuar nga qeveritë italiane dhe ukrainase u mbajt sot në Qendrën e Konferencave “La Nuvola” në Romë.
Të pranishëm ishin afërsisht 5 000 pjesëmarrës, përfshirë afërsisht 100 delegacione qeveritare dhe 40 delegacione nga organizata ndërkombëtare. //a.i/