Projekti për resort turistik në Baks-Rrjoll, banorët bllokojnë rrugën Velipojë-Shëngjin

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Shkodër kanë bllokuar aksin rrugor Velipojë–Shëngjin në shenjë proteste kundër ndërtimit të një resorti turistik në këtë zonë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë për lirimin e rrugës, banorët kanë kundërshtuar duke u përplasur me efektivët e Policisë. Sipas medieve, ka dhe disa persona të shoqëruar nga policia.
Banorët pretendojnë se projekti po realizohet në tokën që u përket ligjërisht, ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në protestë ka qenë i pranishëm edhe avokati i banorëve, Ndue Pjetra, i cili kërkoi zbardhjen e lejes.
“Policia ka të drejtë të ndërhyjë në rast se ka konflikt, por në këtë rast nuk kishte konflikt. Pra, nuk kishte arsye për t’i marrë dhe shoqëruar. Ajo duhet të qëndrojë në distancë dhe vetëm nëse ka konflikt duhet të ndërhyjë. Firma e ndërtimit, deri në momentin që ka marrë lejen, është e ligjshme. E vetmja gjë për të cilën nuk mund të fillojnë punimet këtu është fakti që leja ende nuk është zbardhur”, tha Pjetra.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
/m.m/a.f/r.e/