E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Ndalimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope, pjesë e paketës ligjore të integrimit

TIRANË, 3 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje opozitës në Kuvend që të votojë dy projektligjet që synojnë të frenojnë fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Balla theksoi se projektligjet vijnë si pjesë e paketës ligjore që synon përmbushjen e  detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.

“Besoj shumë se opozita sot do t’i votojë këto projektligje sepse janë ato raste ku vendimmarrja jote mund të shpëtojë jetë. Ndalimi i këtyre lëndëve është e njëjta qasje si në Europë dhe në SHBA. Po ashtu ato vijnë në Kuvend si pjesë e paketës ligjore që synon përmbushjen e detyrimeve nga Kapitulli 24 i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Sipas tij, projektligjet synojnë të sigurojnë mbrojtje për pjesën më vulnerabël të shoqërisë siç janë fëmijët dhe të rinjtë.

“Është detyrim i institucioneve që të rrisim rrisim sigurinë brenda perimetrit të shkollave dhe të ruajmë të rinjtë nga rënia në grackën e shpërndarësve të lëndëve narkotike, ku përfshihen edhe këto lëndë që sot me ligj Kuvendi i shpall të paligjshme”, tha Balla.

Në kuadër të sigurisë në shkolla, Balla u shpreh se personalisht është kundër rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

“Bëj pjesë te ata që mendojnë kundër rrjeteve sociale. Personalisht do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim që duhet marrë në konsultim të gjerë, ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç”, tha Balla.

Rrjetet sociale, sipas tij, janë kërcënim sepse fëmijët bien në grackën e shpërndarësve të lëndëve narkotike.

“Asnjë gjë nuk kanë për të humbur të rinjtë nën 16 vjeç në Shqipëri nëse ne i krijojmë një mburojë ndaj kriminalitetit që u shfaqet kur hyjnë në rrjetet sociale. Qeveria shqiptare ka bërë disa hapa të konsoliduar në këtë aspekt. I ka kërkuar kompanive që ofrojnë rrjete sociale të rrisin monitorimin në gjuhën shqipe që nëse nuk i pengojmë dot me ligj, të paktën të kemi instrumentet e duhura për t’i mbrojtur”, tha Balla.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›