Projektligji për ndryshimet klimatike, Jaupaj: Fond i gjelbër dhe rritje me 50% të gjobave

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural diskutoi edhe ditën e sotme projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndryshimet klimatike” të ndryshuar”.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se “ndryshimet në ligjin “Për ndryshimet klimatike”, kanë për qëllim forcimin e kuadrit ligjor për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e gazeve me efekt serrë (GES), si dhe përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian”.
Sipas tij, ndryshimet përfshijnë shtimin e dispozitave të reja për sektorët e energjisë dhe transportit, të cilat parashikojnë hartimin e planeve vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen që nga viti 2027, si dhe zhvillimin e infrastrukturës për lëndët djegëse alternative, në përputhje me rregulloren e BE-së për karburantet e gjelbra.
Ministri theksoi se, një nga risitë kryesore është krijimi i sistemit MRVA (Monitorim, Raportim, Verifikim dhe Akreditim), që do të mundësojë kontroll më të saktë të shkarkimeve të gazeve serrë në industri, transport ajror dhe detar.
“Ndryshimet synojnë të rrisin transparencën dhe saktësinë e të dhënave mbi emetimet, duke garantuar që Shqipëria të përmbushë detyrimet kombëtare e ndërkombëtare për reduktimin e gazeve serrë dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së. Projektligji parashikon zbatimin gradual të këtij sistemi me periudha afatshkurtra 2025-2026, fashë pilote që lejon subjektet të përshtaten me kërkesat e reja dhe institucioneve të ndërtojnë kapacitete të reja legjislative”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje se deri tani fokusi ishte tek operatorët industrialë dhe tani do të shtrihet deri te bizneset që shesin lëndë djegëse, të cilët duhet të raportojnë për shkarkimet serrë që vijnë nga produktet e tyre.
Jaupaj tha se zbatimi i sistemit MRVA do të nisë gradualisht nga viti 2026 edhe në subjektet e transportit detar e ajror, ndërsa synohet gjithashtu nxitja e politikave për reduktimin e ndotjes, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zhvillimin e investimeve të gjelbra, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për klimën.
Lidhur me masat administrative, tha ai, Ligji parashikon gjithashtu rritjen me 50% të gjobave për shkeljet në fushën e klimës dhe ngritjen e Fondit të Gjelbër për Klimën, me një autoritet kombëtar përgjegjës për administrimin e tij.
Në kuadër të procesit të integrimit në BE, projektligji do të mundësojë zbatimin e plotë të sistemit MRVA siç kërkohet nga Komisioni Evropian, dhe pritet të sjellë përfitime konkrete financiare për vendin, mbështetje nga programet e reformave të Bashkimit Evropian.
“Zbatimi i këtij ligji do të kontribuojë në rritjen e transparencës, ndërtimin e një sistemi modern të raportimit mjedisor dhe forcimin e politikave kombëtare për mbrojtjen e klimës dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Jaupaj.
Në interes të deputetit të opozitës Xhelal Mziu për kostot që duhet të paguajnë subjektet për instalimin e teknologjive në mbrojtje të mjedisit, ministri Jaupaj tha se, “ligji është në aplikim gradual dhe gjatë 3 viteve të para kosto e instalimeve që duhet të bëjnë subjektet për reduktimin e gazeve me efekt serrë do të jenë 1 milion lekë të reja deri në 3 milionë lekë në vit, maksimumi”.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe me mbështetjen e asistencës teknike të projekteve SANECA–Legal (GIZ) dhe SANE 27. Ai synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm për uljen e emetimeve, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet klimatike të Bashkimit Evropian.
/e.xh/r.e/a.f/