E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për nënproduktet shtazore, Salla: Hap drejt BE-së, rrit sigurinë dhe mbron mjedisin

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për nënproduktet me origjinë shtazore”, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se projektligji synon të forcojë mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e mjedisit, përmes vendosjes së rregullave të qarta për administrimin e nënprodukteve me origjinë shtazore që nuk destinohen për konsum njerëzor.

Sipas tij, kuadri aktual ligjor trajton vetëm pjesërisht kontrollin dhe administrimin e këtyre nënprodukteve, ndërsa projektligji i ri krijon një sistem të plotë dhe të harmonizuar me legjislacionin evropian.

“Standardet nuk janë pengesë, por kusht për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral, për rritjen e prodhimit vendas dhe për zgjerimin e aksesit në tregjet evropiane”, deklaroi ministri.

Projektligji parashikon klasifikimin e nënprodukteve sipas nivelit të riskut, garantimin e gjurmueshmërisë së tyre në çdo hallkë të zinxhirit, forcimin e masave të higjienës dhe biosigurisë, si dhe regjistrimin dhe miratimin e operatorëve dhe impianteve që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

Salla bëri të ditur se projektligji do të mundësojë gjithashtu mbikëqyrje më të fortë veterinare, kontroll zyrtar më efektiv dhe mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe biodiversitetit nga rreziqet biologjike.

Ministri nënvizoi se projektligji harmonizon procedurat për importin, eksportin dhe tranzitimin e nënprodukteve me origjinë shtazore, duke krijuar kushte më të favorshme për tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Ai theksoi se projektligji lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe avancimin në Kapitullin 12 të negociatave me Bashkimin Evropian, që përfshin sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare.

Sipas ministrit, projektligji vendos përgjegjësi të qarta për operatorët ekonomikë, të cilët do të duhet të garantojnë gjurmueshmërinë, higjienën, biosigurinë dhe trajtimin e sigurt të materialeve, si dhe të raportojnë çdo rrezik të mundshëm për shëndetin publik apo atë të kafshëve.

Salla bëri të ditur se hyrja në fuqi e ligjit është parashikuar më 1 janar 2027, për t’u dhënë institucioneve dhe operatorëve kohën e nevojshme për përgatitjen dhe përshtatjen me kërkesat e reja.

Ministri e cilësoi projektligjin një instrument të rëndësishëm për modernizimin e sistemit veterinar, rritjen e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e standardeve evropiane nga Shqipëria.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›