E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 87-të për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Qytetarët kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, në ditën e 87-të të protestës kundër investimit në Zvërnec.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë nisur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve.

Profesori Lush Susaj u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen masivisht tubimit, duke e cilësuar atë si një lëvizje qytetare dhe jo partiake.

“Dilni në shesh sepse kjo nuk është protestë e partive që dolën nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës, por është protestë e shqiptarëve dhe të gjithë atyre zemra e të cilëve rreh për Shqipërinë”, tha ai.

Aktivisti Arben Kola vlerësoi pjesëmarrjen e diasporës në protestë, duke e cilësuar atë si një faktor të rëndësishëm të lëvizjes.

Protesta nisi fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik në Zvërnec, ndërsa gjatë ditëve të vijimit kërkesat e protestuesve janë zgjeruar në çështje politike dhe institucionale.

Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë si “kastë e vjetër” politike, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Në protestë janë ngritur gjithashtu shqetësime për korrupsionin, punësimin, investimet strategjike dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Qytetarët shprehen se do të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa tubimi i sotëm vijon përpara Kryeministrisë me fjalime dhe mesazhe drejtuar qeverisë.

Protesta e 87-të; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 11

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›