E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për 5 orë aksi rrugor Kakavijë-Janinë

Për shkak të protestës që fermerët grekë po zhvillojnë aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të vijojë të jetë e bllokuar për 5 orë edhe këtë të martë.

Bllokimi do të nisë në orën 16:00 deri në orën 21:00, sipas orës greke, ndërsa do të lejohet kalimi vetëm për automjetet që kanë emergjenca shëndetësore.

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete në orare të tjera të ditës”, thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare Kakavijë.

Fermerët në Greqi kanë nisur protestat që prej ditës së djeshme, për shkak të reduktimit dhe vonesave në pagesat e subvencioneve, si edhe rritjes së kostove të prodhimit, duke shkaktuar bllokime të mëdha rrugore dhe përplasje me policinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›