E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 19-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 19-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi.

Gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri e cila ndjek nga afër protestën bëri të ditur se sot ka pasur një ndryshim të marshimit të protestuesve.

“Pra, nga marshimi tradicional, le të themi, nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë ka qenë gjatë këtyre ditëve. Ndërkohë që ditën e sotme, duke qenë se ka patur seancë plenare dhe duke qenë se është e pranishme, kemi parë edhe pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama në këtë seancë plenare, por edhe të deputetëve të tjerë.

Ka ndryshuar, le të themi në këtë mënyrë, edhe axhenda e të gjithë qytetarëve dhe protestuesve ditën e sotme.Fillimisht pra janë nisur nga sheshi “Skënderbej”, kanë mbërritur në ambientet e Parlamentit, aty ku edhe unë ndodhem në këto momente.

Më pas ka patur, po themi, edhe një shpërndarje të tyre, pasi një pjesë ndodhet jashtë ambienteve të Parlamentit, teksa një pjesë tjetër është jashtë ambienteve të selisë së Partisë Demokratike, ndërkohë që ka akoma edhe një pjesë e cila qëndron jashtë ambienteve të Kryeministrisë.

Ka qenë një itinerar, po themi, i momentit të fundit – pra një vendimmarrje e momentit të fundit nga ana e qytetarëve për t’u nisur drejt Parlamentit. Ndërkohë që vijojnë thirrjet nga ana e këtyre të fundit kundrejt deputetëve pra për dorëheqje, por jo vetëm. Nga ana e protestuesve të cilët ndodhen jashtë ambienteve të selisë qendrore të Partisë Demokratike, kanë cilësuar opozitën “të shitur”. Kanë qenë këto deklarata të cilat vijojnë të mbajnë dhe kanë mbajtur përgjatë ditës së sotme me qindra protestues, të cilët vijojnë, po themi, rezistencën e tyre në këtë ditë të 19-të“, u shpreh Omeri.

Gazetarja Omeri shpjegoi edhe disa nga kërkesat e protestuesve kundrejt qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Për sa i përket kërkesave, kërkesat vijojnë të jenë të njëjta nga ajo e cila nisi si një kauzë ambientaliste. Kanë shkuar më tej kërkesat nga ana e qytetarëve. Fillimisht kanë artikuluar kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, për shfuqizimin e ligjeve sa i përket paketës së maleve, por edhe investimeve strategjike. Natyrisht edhe kërkesa e cila është artikuluar që më herët, pra për moszbatimin e projektit në zonën e Zvërnecit, të cilën duhet theksuar se nga ana e qeverisë shqiptare është deklaruar se ende nuk ka një projekt konkret, dhe më pas për të dëgjuar, po themi në këtë mënyrë, edhe thirrjen e qytetarëve për moszbatimin e këtij projekti”, theksoi Omeri.

Ajo theksoi më tej se “qytetarët janë pozicionuar, po themi, në pika të ndryshme. Pra, një pjesë janë jashtë ambienteve të Parlamentit, pjesa tjetër është jashtë ambienteve të selisë qendrore të Partisë Demokratike, ndërkohë që vijojnë të mbeten edhe qytetarë të tjerë jashtë ambienteve të Kryeministrisë, aty ku është ngritur, po themi, edhe mini-podiumi, nëse mund ta cilësojmë të tillë, së bashku me foninë ku pritet që qytetarë të ndryshëm të mbajnë fjalën e tyre për të përcjellë mesazhet, problematikat apo edhe kërkesat.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›