E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta të dhunshme në Rumani, mbështetësit e kandidatit pro rus për president përplasën me policinë

Mbështetësit e kandidatit pro-rus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, janë përleshur me policinë në Bukuresht, duke shprehur zemërimin e tyre për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Protestuesit dogjën objekte dhe hodhën sende të forta, ndërsa forcat e policisë u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Kaosi nisi pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rumani, i cili nuk e ka pranuar aplikimin e Georgescut, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që anuloi zgjedhjet e nëntorit, pas fitores së tij në rundin e parë.

“Kandidatura e tij nuk plotëson kushtet e kërkuara me ligj, siç janë përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2024. Për këtë shkak, me rinisjen e procesit zgjedhor, anëtarët e Komisionit konsiderojnë se është e papranueshme që të vlerësojnë se i njëjti person plotëson kushtet për të marrë udhëheqjen e Presidencës së Rumanisë”,

Georgescu dhe mbështetësit e tij kanë pretenduar se autoritetet rumune po tentojnë të bllokojnë kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale.

Pas vendimit të Komisionit, ai reagoi me zemërim duke e quajtur vendimin “goditje të drejtpërdrejtë në zemër të demokracisë”.

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë i anuloi zgjedhjet presidenciale dy ditë para balotazhit në dhjetor, duke u thirrur në dyshimet se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje në dobi të Georgescut. Moska i ka mohuar akuzat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›