Protestat në Francë, Macron premton 4 miliardë euro shtesë për arsimin

Pas valës së protestave që kanë pushtuar vendin prej javësh, Franca po planifikon investime në arsim.
Deri në 2030-tën, qeveria franceze synon të alokojë katër miliardë euro hua me terma lehtësues për rinovimin e shkollave dhe t’u japë një miliard euro universiteteve. Por sipas ekspertëve, në të vërtetë, bëhet fjalë për para që shteti në realitet nuk i ka.
Borxhi francez kap shifrën e rreth 120 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pothuajse dyfishin e nivelit të Gjermanisë, që është rreth 65 për qind. Situata rëndohet edhe nga kostot e huamarrjes.
Për shkak të vlerësimit më të ulët të kreditit dhe pasigurisë politike, Franca paguan interesa dukshëm më të larta se Gjermania.
Për obligacionet dhjetëvjeçare, diferenca arrin rreth 1,6 pikë përqindjeje. Sipas ekonomistëve, rritja e kësaj diference sinjalizon shqetësimin e tregjeve për gjendjen financiare të Francës dhe mund të sjellë kredi më të shtrenjta për shtetin, bizneset dhe qytetarët.
Një tjetër problem është deficiti i vazhdueshëm buxhetor. Franca nuk ka regjistruar një buxhet të balancuar që prej vitit 1974, duke shpenzuar rregullisht më shumë sesa mbledh nga taksat.
Qeveria e kryeministrit Sébastien Lecornu synon të kursejë 54 miliardë euro në vitin 2027, për të ulur deficitin buxhetor nga 5,4 në 5 për qind të PBB-së. Megjithatë, mungesa e shumicës parlamentare e vështirëson miratimin e këtij plani.
Ndërkohë, partitë kryesore politike vazhdojnë të paraqesin premtime që kërkojnë shpenzime të konsiderueshme, duke e bërë edhe më të vështirë konsolidimin e financave publike, teksa ekspertët paralajmërojnë se Franca nuk mund ta shtyjë pafundësisht përballjen me problemin e borxhit.
Lajme të Sugjeruara