Trump deklaratë, mbron administratën: Emigracioni i paligjshëm në SHBA ka marrë fund. Prezanton dhe sallën e Ballove në Shtëpinë e Bardhë: E mrekullueshme

Presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë për mediat ka vlerësuar rezultatet e administratës së tij në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, duke deklaruar se asnjë emigrant pa dokumente nuk është lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara.
“Emigrantët e paligjshëm nuk janë lejuar të hyjnë në vendin tonë”, deklaroi Trump gjatë një prononcimi në Shtëpinë e Bardhë, ku foli edhe për projektet e rëndësishme të ndërmarra gjatë mandatit të tij.
Më pas, presidenti amerikan u ndal te ndërtimi i sallës së re të Ballove në Shtëpinë e Bardhë, një projekt që e ka cilësuar si realizimin e një ëndrre të kahershme të presidentëve amerikanë.
Trump foli me hollësi për punimet, duke vënë në dukje cilësinë e strukturës prej çeliku dhe mermerin e përdorur në ndërtim. Ai theksoi se ndërtesa e re parashikohet të jetë edhe më e madhe se vetë Shtëpia e Bardhë dhe do të jetë një prej godinave më të veçanta në Uashington DC.
“Do të jetë një nga ndërtesat më të mëdha në Uashington DC”, u shpreh Trump.
Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike të rezidencës presidenciale amerikane: “Shtëpia e Bardhë është simboli i Amerikës. Ajo duhet të jetë e përsosur”.
Krahas sallës së Ballove, Trump ka promovuar edhe projektet për përmirësimin e kryeqytetit amerikan, përfshirë rikonstruksionin e pishinës reflektuese pranë Memorialit të Lincoln-it.
“Kemi bërë Uashingtonin të bukur dhe të gjithë po flasin për këtë”, është shprehur presidenti amerikan, duke vënë në pah ndërhyrjet e kryera në kryeqytet.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb