E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit përleshen me policinë përgjatë kordonit rreth Kuvendit

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, protesta ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit kanë sulmuar disa prej deputetëve me vezë dhe sende të forta, duke penguar përkohësisht daljen e tyre nga ambientet e Kuvendit.

Një pjesë e protestuesve është zhvendosur më pas drejt zonës së Pedonales, pranë hyrjes tjetër të Parlamentit, pas njoftimeve se disa deputetë mund të largoheshin nga godina në një dalje alternative.

Qytetarët bllokuan daljet kryesore me thirrjet kundër klasës politike, arrestimin e Ballukut, largimin e Ramës dhe të Berishës.

Policia u përpoq të shpërndante protestuesit, por ata reaguan duke u ulur këmbëkryq në mes të rrugës. Policia dhe FNSH krijoi kordon përpara protestuesve.

Përplasje ka pasur në disa segmente të kordonit policor përreth Kuvendit, si te Galeria e Arteve apo edhe tek sheshi pranë qendrës tregtare.

Protestuesit kanë sulmuar një makinë policie të parkuar duke e goditur me gurë dhe sende të forta.

Policia hodhi sërish spraj lotsjellës në drejtim të protestuesve ndërsa rinisën përleshjet.

Policia përdori ujë me presion për të shpërndarë protestuesit në mënyrë që të lironte derën e Kuvendit për të mundësuar largimin e deputetëve e ministrave.

Po ashtu, Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës ndërsa kanë vijuar përplasjet. Raportohet për shumë të shoqëruar në komisariatet e policisë.

Protesta në Tiranë përshkallëzohet në dhunë

Situata është përshkallëzuar më tej pas ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë turmën.

Protestuesit kanë rrëzuar gardhin metalik dhe janë përplasur me efektivët, duke përdorur gurë dhe sende të forta.

Sipas të dhënave paraprake, disa efektivë policie janë lënduar, ndërsa njëri prej tyre është goditur në kokë.

Pas shpërndarjes së protestuesve, grupe të tjera janë zhvendosur në zona të ndryshme të Tiranës, ku janë regjistruar incidente të tjera. Forcat e rendit kanë ndërhyrë sërish dhe kanë shoqëruar disa persona.

Në një moment tjetër tensioni, protestues janë përballur edhe me deputetë në zona publike pranë Kuvendit, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale.

Policia e Shtetit vijon të jetë e pranishme në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata në disa zona të Tiranës mbetet ende e tensionuar.

Protestuesit përplasen me Policinë përgjatë kordonit te Kuvendi, foto: Andrin Hoxha 1 nga 23

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›