Rama emëron këshilltare për mediat ish-kandidaten për deputete të Albin Kurtit! Kush është Vlerë Gjakova që u kthye në kritike të kryeministrit të Kosovës

Në një kohë kur qeveria po përballet me protesta të vazhdueshme, kryeministri Edi Rama i ka besuar strategjinë e komunikimit me mediat një emri të ri. Report Tv mëson se Vlerë Gjakova, eksperte e komunikimit nga Maqedonia e Veriut, është emëruar këshilltare për mediat e kryeministrit. Me një karrierë 18-vjeçare në marrëdhëniet me publikun dhe strategjinë mediatike, Gjakova ka edhe një të kaluar politike në Kosovë, si ish-anëtare dhe kandidate për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Kush është Vlerë Gjakova?
Vlerë Gjakova, e cila vjen nga Shkupi, ka një përvojë 18-vjeçare në komunikim, marrëdhënie me publikun dhe menaxhimin e strategjive mediatike. Ajo ka punuar me kompani ndërkombëtare dhe institucione në Ballkanin Perëndimor, duke u angazhuar në fushata komunikimi, menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e marrëdhënieve me median.


Në karrierën e saj profesionale ka shërbyer si zëdhënëse dhe përgjegjëse e marrëdhënieve me publikun për EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin gjithashtu bashkëpunime me Komunën e Çairit, organizatën VEPRO, Coca-Cola në Kosovë dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN.
Gjakova është diplomuar në komunikim, ekonomi dhe tregti ndërkombëtare, ndërsa ka ndjekur studime të avancuara në filozofi në Universitetin Aristoteli të Selanikut dhe në Qendrën Kërkimore për Filozofinë Greke. Krahas medias, ajo është angazhuar edhe në konsulencën për energjinë e rinovueshme, veçanërisht në projektet e energjisë diellore dhe të erës.
Vlerë Gjakova ka edhe një të kaluar në politikën e Kosovës, të lidhur drejtpërdrejt me Albin Kurtin. Më 24 gusht 2018, ishte vetë Kurti që njoftoi publikisht anëtarësimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje, duke e prezantuar si aktiviste të të drejtave të njeriut, feministe dhe publiciste nga Shkupi.
Një vit më vonë, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019, Gjakova kandidoi për deputete nën siglën e Vetëvendosjes, me numrin 21 në listën zgjedhore. Gjatë fushatës, ajo mbështeti publikisht ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës. Por, Gjakova është larguar nga LVV dhe në nëntor të vitit 2025 doli publikisht me kritika ndaj Albin Kurtit, për menaxhimin e krizës politike në Kosovë.
Sipas raportimeve mediatike, Gjakova është mbesa e diplomatit Blerim Reka, i cili ka shërbyer si ministër i Integrimit Evropian në qeverinë e parë të Albin Kurtit në vitin 2020.