Prova të reja në procesin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës, SPAK zbërthen bisedat në SKY ECC

Procesi gjyqësor për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të Jani Prengës, ngjarje që tronditi opinionin publik në janar të vitit 2020, ka hyrë në një fazë të re në Apelin e GJKKO-së. Në qendër të kësaj faze është kopshtari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, Festim Bexhdili, i cili u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë, vendim që u rrëzua nga Gjykata e Lartë duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Apel.
Gjatë seancës së fundit, prokurorja e SPAK Elida Kaçkini paraqiti prova të reja në dosje, përfshirë komunikime të siguruara nga aplikacioni i enkriptuar “Sky ECC”, mes personazheve kyç të dosjes: Dritan Rexhepi, Altin Hajri dhe Gentian Doci, i njohur edhe si Genti i Funikut. Të gjithë këta emra janë të dyshuar si të përfshirë në rrëmbimin dhe eliminimin fizik të Jani Prengës, i cili u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamzë dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë në ambientet e “Golden Resort”.
Seanca e radhës është shtyrë për më 13 maj, ku pritet të shqyrtohen detajet e provave të reja dhe të vijojë procesi ndaj të pandehurit të vetëm të fashikullit të parë.
/vizionplus.tv