E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëri- Kosovë, forcohet bashkëpunimi në fushën bankare

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Një delegacion i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Zyber Çadraku, Drejtor i Departamentit për Rimëkëmbje dhe Përmbyllje, zhvilloi një vizitë pune pranë Bankës së Shqipërisë.

Kjo vizitë u realizua me kërkesë të përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Kosovës, pas krijimit të funksionit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në këtë institucion.

Banka e Shqipërisë njofton se, vizita krijoi mundësinë e fillimit të një bashkëpunimi të vazhdueshëm në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, me qëllim shkëmbimin e përvojave midis dy institucioneve.

Delegacioni i BQK-së zhvilloi takime pune dhe diskutime teknike me homologët e Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme pranë Bankës së Shqipërisë, ku u trajtuan çështje me rëndësi të veçantë për funksionimin e këtij mekanizmi.

Disa nga temat kryesore të trajtuara përfshinë kuadrin ligjor për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Shqipëri, identifikimin e funksioneve kritike dhe vlerësimin e interesit publik, vlerësimin e aftësisë së bankave për ndërhyrje të jashtëzakonshme, kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara, bashkëpunimin me Departamentin e Mbikëqyrjes dhe autoritetet e tjera vendase dhe të huaja, si dhe Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Banka e Shqipërisë shpreh angazhimin e saj për të mbështetur Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve për ndërhyrjen e jashtëzakonshme dhe mbetet e gatshme për projekte të tilla bashkëpunimi në çdo fushë të veprimtarisë së saj.

1 nga 4

e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›