Pse dronët iranianë targetuan edhe Azberbajxhanin

Irani ka goditur me dronë rajonin autonom të Nakhchivanit në Azerbajxhan, një zhvillim që ka ngritur pyetje mbi arsyet e këtij sulmi, pasi në Azerbajxhan nuk ka baza ushtarake amerikane.
Ekspertët sugjerojnë se një nga arsyet kryesore mund të lidhet me lidhjet strategjike të Azerbajxhanit me Izraelin dhe SHBA-në.
Azerbajxhani, një vend me shumicë myslimane shiite por me qeveri sekulare, ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me Izraelin që nga vitet 2000: blen armë izraelite, shet naftë në Izrael dhe besohet se bashkëpunon ngushtë në fushën e inteligjencës, veçanërisht për monitorimin e Iranit.
Irani ka akuzuar vazhdimisht Azerbajxhanin se lejon agjentë të Mossad-it, agjencisë izraelite të inteligjencës, të veprojnë në territorin e tij, duke përfshirë edhe ndihmën në vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë – akuzë që Azerbajxhani e ka mohuar fuqishëm.
Sulmi me dronë duket të jetë një mesazh nga Irani ndaj Azerbajxhanit dhe Izraelit, duke synuar të tregojë gatishmërinë për të mbrojtur interesat e tij rajonale dhe për të frenuar bashkëpunimin e vendit fqinj me Izraelin.

Reagimet e Azerbajxhanit dhe Iranit për ngjarjen
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se incidenti ndodhi rreth orës 12:00 (08:00 GMT) të enjten.
“Një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit në Republikën Autonome të Nakhçivanit, ndërsa një dron tjetër ra pranë një ndërtese shkolle në fshatin Shakarabad”, thuhet në deklaratë.
“Ne i dënojmë fuqishëm këto sulme me dron të lëshuara nga territori i Republikës Islamike të Iranit”.
Ministria shtoi se sulmi plagosi dy civilë dhe shkaktoi dëme materiale në aeroport.
Ajo kërkoi një “shpjegim të qartë” nga Irani dhe tha se vendi “rezervon të drejtën për të marrë masa të përshtatshme kundërpërgjigjeje”.
Për incidentin është thirrur në Ministrinë e Jashtme ambasadori iranian Mojtaba Demirchilou.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, më vonë mohoi se vendi i tij kishte shënjestruar Azerbajxhanin.
“Republika Islamike e Iranit nuk ka shënjestruar Republikën e Azerbajxhanit,” tha ai në deklarata të transmetuara nga agjencia iraniane Tasnim News Agency.
“Ne nuk i shënjestrojmë vendet tona fqinje”.