Pasojat e luftës prekin edhe drejtësinë/ Gjyqtarja mbetet e bllokuar në Dubai, shtyhet seanca e “Plumbit të Artë”

Gjykata e Posaçme ka shtyrë disa seanca gjyqësore për shkak të mungesës së gjyqtares Engjëllushe Tahiri.
Kjo për shkak se, Tahiri ndodhet prej disa ditësh në Dubai, ku është bllokuar për shkak të pezullimit të fluturimeve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.Një nga seancat e cila është shtyrë sot, është edhe ajo e “Plumbit të Artë”, e cila është caktuar për në datë 10 mars ora 10:00.

Tahiri është edhe kryetare e trupit gjykues në çështjen e Erion Veliajt, ndaj rrezikon që edhe seanca ndaj tij, e planifikuar për më 9 mars, të dështojë.
Mësohet se Tahiri ndodhej në Dubai për arsye turistike.
Dosja “Plumbi i Artë” ka brenda disa nga personazhet më të njohur të botës së krimit.
Pjesë e këtij grupi janë shtetasit Suel Çela (Marjus Lulaj), Talo Çela, Eljo Bitri, Festim Qoli, Agron (Kamber) Mehja, Abedin Mama, Aleks Çela, Florenc Çapia, Ervis Martinaj, Alket Xhixha, Elvin Merlika etj.