E Hënë, 2 Nëntor 2026

Puna për shëtitoren buzë detit në Durrës, Rama: Nxit turizmin, shton hapësirat për pushuesit

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Në Durrës kanë nisur një seri investimesh madhore që kanë hapur një kapitull të ri zhvillimi për qytetin bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale momente nga faza e dytë e punimeve për shëtitoren në bregdet, një investim i rëndësishëm që pritet t’i japë kësaj zone një pamje dhe hapësirë të re, moderne e tërheqëse për qytetarët dhe turistët.

Rama bëri të ditur se aktualisht po punohet për zgjerimin e brezit të rërës përgjatë gjithë gjatësisë së plazhit, ndërhyrje që do të krijojë më shumë hapësirë për pushuesit.

“Projekti përfshin një shtrirje prej rreth 3,2 kilometrash, nga Ura e Dajlanit deri tek Godina e Konvaleshencës, që synon rehabilitimin e plotë të vijës bregdetare”, u shpreh Rama.

Ky projekt do ta transformojë këtë pjesë të shëtitores buzë detit në një hapësirë urbane shumë më tërheqëse, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së ofertës turistike të portës së Adriatikut.

Investimet do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës së zonave turistike, por edhe në menaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik.

Ky projekt do t’i japë edhe më shumë vlerë shtëpive, hoteleve dhe njësive të shërbimit.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›