E Hënë, 2 Nëntor 2026

Riparimi i shtresave asfaltike në autostradën Tiranë-Durrës, plan i ri menaxhimi për trafikun

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se ka hartuar një plan të ri të menaxhimit të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës.

MIE njoftoi se nisur nga situata e trafikut në autostradën Tiranë – Durrës, e krijuar si rrjedhim i ndërhyrjes për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar në koordinim të plotë më Policinë e Shtetit kanë hartuar një Plan të ri të Menaxhimit të Trafikut.

Sipas MIE, duke filluar që sot, datë 14 tetor, nga ora 23:00-06:00 do të ketë bllokim të qarkullimit në drejtimin Vorë-Durrës, përkatësisht në segmentet Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Sukth-Fllakë, Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit dhe Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit.

“Kohëzgjatja e punimeve do të jetë 1–2 ditë për çdo segment. Të gjithë përdoruesit e kësaj rruge, në oraret e mësipërme duhet të kalojnë në rrugën alternative Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës. Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit – Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje”, thuhet në njoftim.

MIE thekson se “ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e tij, ndaj ARRSH kërkon edhe një herë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe i fton të zgjedhin rrugët alternative për të lehtësuar këtë proces rehabilitimi”.

Projekti “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit” nisi ditën e djeshme dhe si pasojë e kësaj pati bllokim të qarkullimit.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›