Punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme dhe u vidhte xhiron ditore, arrestohet 39-vjeçarja

Një 39-vjeçare është vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme me qëllim vjedhjen e xhirove ditore.
Në kuadër të hetimeve, policia ka dokumentuar 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme. 39-vjeçarja, me inicialet K. Z., banuese në Tiranë, ishte shpallur në kërkim dhe u kap nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në ambientet e një lokali në kryeqytet.
Sipas policisë, gruaja dyshohet se punësohej përkohësisht në biznese të ndryshme dhe, pasi siguronte akses në ambientet e tyre, vidhte xhiron ditore dhe largohej.
Policia vijon hetimet për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh që mund të jenë kryer prej saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/