E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Punime në rrugën Qafë-Mali–Fierzë për përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Në segmentin rrugor Qafë-Mali–Fierzë, konkretisht në kilometrat 5,6 dhe 11, po punohet për riparimin dhe stabilizimin e rrëshqitjeve të shpatit të malit.

Këto ndërhyrje synojnë të rikthejnë qarkullimin normal dhe të garantojnë sigurinë rrugore në përputhje me standardet teknike.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), për të eliminuar rrëshqitjen e terrenit, projekti përfshin ndërtimin e një muri mbajtës me pilota dhe muri pritës, sistemimin e ujërave sipërfaqësore përmes ndërtimit të kanaleve filtruese, si dhe ndërtimin e shtresave rrugore përgjatë gjithë segmentit.

Paralelisht, po punohet edhe për riparimin dhe përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Ky aks rrugor është 57 km i gjatë dhe ka një gjerësi prej 4.5 metrash. Ai përshkon një zonë me karakter të theksuar malor, me kthesa të shumta dhe të forta, dhe shërben si nyje lidhëse për disa zona në veri të vendit. Përveç rëndësisë së tij infrastrukturore, rruga ka edhe vlerë turistike për shkak të peizazhit të pasur natyror që ofron.

Përfundimi i punimeve pritet të përmirësojë ndjeshëm sigurinë dhe lehtësinë e qarkullimit për banorët dhe vizitorët e zonës.

1 nga 5

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›