E Martë, 3 Nëntor 2026

Zënia e hapësirave publike, Rama: Inspektorët e IMT-ve të evidentojnë abuzimet në terren, përndryshe do përballen me ligjin

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se do të kryhen kontrolle dhe inspektime në disa qytete të vendin në lidhje me zaptimin e hapësirave publike.

Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale Rama theksoi se inspektorët dhe autoritetet lokale, përfshirë policinë bashkiake dhe atë shtetërore, gjatë javës së dytë të korrikut do të intensifikojnë veprimet në terren dhe me të gjitha forcat e ligjit do të “bëjmë pastrimin gjeneral të shtëpisë”.

“Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dyjavëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpin뒒 tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë, ku bëjnë atë pastrimin gjeneral të muajit dhe nga ana tjetër u bëj thirrje edhe një here, e përsëris, të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para’ dhe të bëjnë fitime në dëm të komuniteteve, që të fillojnë të mbledhin plaçkat. Fillojnë të mbledhim plaçkat, sepse boll është boll, boll është boll”, deklaroi Rama.

“Arsyet që dihen dhe nuk dua t’i komentoj. Më kanë bërë që të jem shumë më pranë Tiranës, të jem shumë më pranë banorëve, marr shumë më tepër se ç’kam marrë deri para disa kohësh; edhe mesazhe, edhe ankesa, edhe kërkesa dhe e kam shumë, shumë të fortë detyrimin që në radhë të parë në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, ku kam marrë mbështetje edhe personalisht, të jem të jem gati për t’iu dhënë përgjigjen që ata kërkojnë dhe mbi të gjitha, përgjigjen që është një përgjigje e interesit publik të përbashkët, e interesit komunitar të përbashkët”, tha Rama.

Rama kërkoi gjithashtu që këto dy javë inspektorët e bashkive të IMT-së të vrapojnë që mos të ballafaqohen me abuzimet që kanë lënë që të bëhen në terren, përndryshe do të përballen edhe me ligjin.

“Kështu që duke shpresuar që edhe këta inspektorët e bashkive të IMT-ve, do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj mos ballafaqohen dhe ata me faktet e syve të tyre të mbyllur, gjë që do t’i çojë në situata të papëlqyeshme, edhe ligjore, po të jetë nevoja si dhe duke i kërkuar policisë së shtetit, të vazhdojë të këmbëngulë në rritjen e vigjilencës për çdo ndërhyrje pa leje”, vuri në dukje Rama.

Duke iu referuar urimeve që i kanë ardhur për ditëlindje, Rama e mbylli videomesazhin me falënderime.

“Faleminderit gjithë atyre që më kanë çuar urime sot po kur vjen ajo, kur vjen prefiksi i gjashtë, mua më duket se s’është më nevoja për të bërë festa ditëlindjesh. Me të mirat e tërëve edhe të jeni të bindur që më e mira është e gjitha përpara”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›