Punonjësja e policisë përfituese e kredisë me 0% interes, Gonxhja: Mundësi konkrete për familjet e reja

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Familjet e reja po përfitojnë nga programi i qeverisë për dhënie kredie me zero interes.
Brunilda Tara, specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sektori për mbështetjen hetimore ndërkombëtare është një nga përfitueset e kredisë me 0% interes.
Në një video të publikuar një rrjetet sociale, nga ministri i Ekonomisë dhe Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Brunilda u shpreh se, “Policia e Shtetit i ka ndryshuar jetën me mundësinë që i dha nëpërmjet kredisë me 0% interes”.
“Ndihem me fat pasi sapo kam krijuar familje dhe mundësia e blerjes së një shtëpie me interes 0%, ishte një ndihmë shumë e madhe për mua dhe familjen time të vogël”, tha ajo.
“I bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës shtetërore të besojnë në nismën e qeverisë dhe konkretisht, siç unë besova te MEKI”, u shpreh Brunilda.
Ndërsa Gonxhja tha se, “kjo është një mundësi konkrete që ndihmon, familjet e reja, të ndërtojë një jetë më të sigurt dhe ku barra ekonomike bëhet më e lehtë për t’u përballuar”. /j.p/