VanHorn: Një klimë më e favorshme investimi sjell prani më të madhe të SHBA në Shqipëri

TIRANË, 11 prill/ATSH/ E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së, në Tiranë, Nancy VanHorn zhvilloi sot një takim me bordin drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham).
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se ata diskutuan se si një klimë më e favorshme investimi mund të sjellë një prani më të madhe të SHBA në ekonominë vendase dhe të nxisë prosperitetin e ndërsjellë.
“Ne vlerësojmë mbrojtjen e Dhomës Amerikane në emër të bizneseve amerikane”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë vitit 2024 në 7 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë që ishin në 2023-shin.
Ndërkohë, importet nga SHBA shënuan rritje. Sipas të dhënave, importet llogariten 20,5 miliardë lekë gjatë vitit 2024, nga 17,3 miliardë lekë që ishin në 2023-shin.
Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh, kryesisht produkte ushqimore, bimë mjekësore dhe metale.
1 nga 3/r.e//a.f/