E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pushteti vendor, Demo: 114,6 miliardë lekë buxhet në vitin 2027, rritje e transfertave për bashkitë - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2027 parashikohet të jetë 114,6 miliardë lekë, me një rritje prej 2,4% krahasuar me vitin 2026, ndërsa transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore arrijnë në 49,4 miliardë lekë, ose 4% më shumë se një vit më parë.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se financimet synojnë të mbështesin funksionet e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen drejtpërdrejt qytetarëve.

Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme parashikohet në 29,3 miliardë lekë, me rritje 5,2%, ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale arrin në 19,9 miliardë lekë, me rritje 2,4%.

Demo bëri të ditur se, krahas rritjes së financimit, mbështetja për pushtetin vendor do të përqendrohet edhe te digjitalizimi i shërbimeve, përmirësimi i planifikimit financiar dhe forcimi i kapaciteteve të administratave vendore.

Sipas ministrit, projekti i digjitalizimit, i financuar nga Banka Botërore, nis zbatimin në disa bashki, duke filluar nga Tirana. Ai synon digjitalizimin e shërbimeve vendore dhe lehtësimin e ndërveprimit të qytetarëve me bashkitë.

Një tjetër instrument është sistemi AFMIS, i Ministrisë së Financave, gjithashtu i financuar nga Banka Botërore. Demo u ndal te krijimi i një paneli informues (dashboard), përmes të cilit do të mund të ndiqet në kohë reale situata financiare në çdo bashki, duke ndihmuar në planifikimin e burimeve dhe hartimin e politikave mbështetëse për njësitë vendore.

Ministri përmendi gjithashtu TALGA-n dhe Akademinë e Pushtetit Vendor si instrumente për mbështetjen e tranzicionit që do të shoqërojë reformën territoriale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve administrative dhe ndërhyrjeve sipas nevojave të bashkive.

Ai tha se për këtë proces është siguruar mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Zvicrën, Suedinë, Holandën dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

Duke iu referuar përvojës së reformës territoriale të vitit 2015, Demo theksoi se faza e parë e zbatimit kërkon përgatitje dhe koordinim të veçantë. Sipas tij, viti 2027 do të jetë një vit tranzicioni për administratat dhe buxhetet, pasi reforma pritet të hyjë në fuqi në mesin e vitit buxhetor, pas zgjedhjeve lokale.

“Ne jemi të fokusuar që 2027 të jetë një vit që të ecë me shpejtësi për sa i përket konsolidimit të bashkive të reja dhe të qenit gati për sa i përket planifikimeve që do të duhet të kenë për vitin 2028”, u shpreh Demo në komisionin parlamentar.

/gj.m/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›