Putin merr ftesë t’i bashkohet “Bordit të Paqes”, Kremlini: Po e shqyrtojmë

Kremlini bëri me dije se lideri rus Vladimir Putin ka marrë ftesë që t’i bashkohet “Bordit të Paqes” për Gazën të presidentit amerikan Donald Trump. Duke folur me gazetarët gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Kremlini po e shqyrton ftesën dhe shpreson të marrë më shumë detaje nga pala amerikane.
Themelimi i bordit, i kryesuar nga Trump, është një hap kyç në planin amerikan të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të çmilitarizuar dhe rindërtuar Gazën, e cila u shkatërrua nga dy vjet luftë mes Izraelit dhe grupit militant Hamas.
I përshkruar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si “Bordi më i madh dhe më prestigjioz i mbledhur ndonjëherë”, krijimi i këtij organi u njoftua javën e kaluar nga Trump pasi më herët negociatorët amerikanë bënë me dije se ka nisur zbatimi i fazës së dytë të Planit të Paqes të ndërmjetësuar nga SHBA.
Gjatë fazës së parë kur u arrit armëpushimi Izrael- Hamas në tetor të vitit të kaluar u liruan të gjithë pengjet izraelitë dhe u dorëzuan trupat e pengjeve të pajetë, ku ka mbetur edhe një për t’iu kthyer shtetit hebre, ndërsa në këmbim u liruan mijëra të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite.
/rtsh.al/