Shkarjet masive izolojnë fshatin Lojme në Kukës, formacionet e tokës problem dhe rrezik për ndërhyrje

Më shumë se 100 metra në gjerësi është formacioni shkëmbor, me përmbajtje argjilore dhe inerte, që ka bllokuar segmentin e rrugës në afërsi të fshatit Lojme. Një pjesë e formacionit ka bllokuar trasenë e rrugës, ndërsa një pjesë tjetër, ku ka edhe ujëra nëntokësore, ka dëmtuar trupin e rrugës, duke mos lënë asnjë gjurmë.
Drejtori i Rrugëve Rurale, Bilbil Shahu, i cili bashkë me ekipin e tij e ka ndjekur nga afër situatën prej ditësh, tha se nga “ana e bashkisë po bëhet një studim me specialistë përkatës për t’i dhënë zgjidhje në një kohë sa më të shkurtër”.
Shkarja masive është fenomen që përsëritet shpeshherë në të njëjtin vend. Ndërhyrjet dhe pastrimet gjithmonë kanë qenë zgjidhje provizore, për shkak se vetë ndërtimi gjeologjik është vlerësuar i paqëndrueshëm.
Një situatë e ngjashme ishte edhe në fshatin Xhaferaj, në njësinë administrative Topojan, për të cilën drejtori i Rrugëve Rurale në bashki, Bilbil Shahu, tha se për momentin i është dhënë zgjidhje provizore, pasi për më tej nevojiten studime të thelluara.
“Drejtoria e Rrugëve ka marrë të gjitha masat për t’u përballuar dhe për t’i bërë rrugët të aksesueshme dhe të kalueshme,” theksoi drejtori Shahu.
Përsa i përket situatës së përgjithshme në rrugët rurale, ajo duket e përmirësuar, duke rivendosur qarkullimin e mjeteve thuajse në të gjitha rrugët që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative.
Bashkia e Kukësit zotëron një sipërfaqe të konsiderueshme territoriale, me rreth 500 km rrugë rurale, ku një pjesë prej tyre kanë një shkallë të lartë amortizimi dhe vështirësie edhe gjatë verës.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/