“Pyetjet e munguara”, Meta shkruan për SPAK dhe çështjen e GSIS në SHBA

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një deklaratë ku i drejtohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke paraqitur një listë pyetjesh që, sipas tij, kanë munguar prej vitesh në hetimet e lidhura me Departamentin e Drejtësisë në SHBA dhe kompaninë GSIS.
Meta i referohet një vendimi gjyqësor në Shtetet e Bashkuara që, sipas tij, ka kufizuar përkohësisht aksesin në informacion për LSI-në lidhur me kontratën e datës 3 shkurt 2016 me GSIS, e regjistruar si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri.
Në deklaratën e tij, Meta pretendon se ky vendim është përdorur për ta penguar të sigurojë prova shfajësuese dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e materialeve të përdorura nga akuza.
Ai rendit një sërë kërkesash drejtuar SPAK, duke përfshirë:
- dokumentin e ndërprerjes së kontratës me GSIS
- dorëzimin e produkteve të punës së kompanisë
- informacion mbi transferime apo nënkontraktime
- faturat dhe pagesat e kryera
- verifikimin e çdo ndryshimi të marrëveshjes
- autorizimet e pretenduara për shkëmbim informacioni dhe pagesa
Sipas Metës, këto të dhëna janë thelbësore për zbardhjen e çështjes dhe identifikimin e personave përgjegjës brenda strukturave të përfshira.
Ai gjithashtu akuzon tre prokurorë të SPAK se nuk kanë pasur interes për zbardhjen e së vërtetës, por kanë vepruar, sipas tij, me motive politike, duke iu referuar edhe një vendimi të mëparshëm që lidhet me një tjetër çështje hetimore të rrëzuar.
Meta thekson se vetëm transparenca, sipas tij, mund të garantojë legjitimitetin e procesit hetimor dhe kërkon që autoritetet shqiptare dhe amerikane të bashkëpunojnë për sigurimin e dokumentacionit të plotë.
