Shqipëria dhe Zvicra firmosin marrëveshje për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa

Ministri Enea Karakaci zhvilloi një takim me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes për Projektin e Vlerësimit të Dëmtimeve në Ndërtesa.
Projekti do të zbatohet nga Instituti i Ndërtimit me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Sipas ministrit, marrëveshja synon forcimin e sistemit kombëtar për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, përmes unifikimit të standardeve teknike, trajnimeve profesionale dhe rritjes së bashkëpunimit institucional në situata emergjente.
Po ashtu, projekti parashikon rritjen e kapaciteteve teknike dhe ekspertizës profesionale, me fokus përmirësimin e sigurisë publike, qëndrueshmërisë së ndërtesave dhe reagimit pas fatkeqësive natyrore.
Autoritetet shqiptare dhe partnerët zviceranë e konsiderojnë këtë marrëveshje një hap të rëndësishëm në forcimin e menaxhimit të emergjencave dhe standardeve të sigurisë në sektorin e ndërtimit.