E Martë, 3 Nëntor 2026

QSHV në Shkëmbin e Kavajës, Koçiu: Alesia dhe Elda, çdo ditë në shërbim të pushuesve në bregdet

Tiranë, 12 qershor /ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik 2025, në të gjithë vendin janë hapur 36 qendrat shëndetësore verore që do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë në shtatë ditë të javës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se gjatë këtij sezoni veror, në qendrën shëndetësore në Shkëmbin e Kavajës, mjekja Alesia dhe infermiere Elda do të jenë çdo ditë në shërbim të pushuesve në bregdetin e Durrësit, ndërsa ka falënderuar dy profesionistet e sistemit shëndetësor për përkushtimin.

Nga ana e saj, doktoreshë Alesia Preni, pjesë e QSHV te Shkëmbi i Kavajës, shprehet se u bë pjesë e kësaj qendre pas thirrjes së MSHMS për mjekë dhe infermierë pranë qendrave shëndetësore verore të hapura në të gjithë vendin.

“Situata paraqitet e qetë. Kemi pasur 40 vizita gjatë kësaj jave, ndërsa presim pacientë gjatë 24 orëve në shtatë ditë të javës”, thotë ajo.

Ndërsa, infermierja Elda Tusha thotë se prej tre vitesh punon pranë QSHV te Shkëmbi i Kavajës. “Përveç vizitave shëndetësore në qendër, ne ofrojmë edhe shërbimin në bregdet apo kudo ku pacientët ndodhen apo shfaqin një problematikë të caktuar”, pohon ajo.

Gjithashtu, edhe pushuesit në bregdetin e Durrësit, shprehen të kënaqur për shërbimin shëndetësor që marrin duke pushuar në plazh, ndërsa thonë se “Shqipëria ka ndryshuar për mirë”.

Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.

Gjatë periudhës 1 qershor 2024 deri në 30 shtator 2024 në këto qendra shëndetësore verore u realizuan 80 765 vizita mjekësore, ku 32% u kryen për shtetas të huaj.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›