ROMË – Italia rihap ambasadën në Iran

ROMË, 17 qershor /ATSH-AFP/ – Italia do të rihapë të premten ambasadën e saj në Teheran, pas më shumë se tre muajsh mbylljeje për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lajmi u bë i ditur sot nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Duke folur në Parlament, Tajani njoftoi se, krahas ambasadës, do të rifillojnë aktivitetin edhe zyrat e Agjencisë Italiane për Tregtinë e Jashtme në kryeqytetin iranian. I
talia kishte vendosur në fillim të marsit të mbyllte përkohësisht përfaqësinë diplomatike në Iran dhe të transferonte personelin në Baku për arsye sigurie, pas shpërthimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Sipas Tajanit, ambasadorja italiane do të rikthehet në Teheran së bashku me diplomatët dhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme.
Ai theksoi se, megjithëse situata në Lindjen e Mesme mbetet e ndërlikuar dhe kërkon kujdes, për herë të parë pas javësh lufte dhe negociatash të vështira po shfaqen shenja konkrete për paqe.
Njoftimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani ranë dakord këtë javë për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit në rajon, i cili që nga fundi i shkurtit ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Libani.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër. /Ad.Ab./ a.jor.