Bogdani: Standardet e vetingut, pjesë e kulturës institucionale

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani vlerësoi sot se përmbyllja e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) shënon kalimin nga një proces i jashtëzakonshëm reformues drejt përgjegjësisë së përditshme institucionale për garantimin e funksionimit të pavarur dhe profesional të sistemit të drejtësisë.
Në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar, të organizuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), Bogdani theksoi se pas nëntë vitesh nga nisja e vetingut është e mundur të vlerësohen jo vetëm rezultatet, por edhe ndikimi i këtij procesi në institucionet e drejtësisë dhe në shoqërinë shqiptare.
“Përmbyllja e procesit të rivlerësimit kalimtar shënon një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Nëntë vite pas fillimit të tij, tashmë është e mundur të vlerësohen jo vetëm rezultatet, por edhe ndikimi që ky proces ka pasur mbi institucionet dhe vetë shoqërinë shqiptare”, u shpreh ajo.
Sipas Bogdanit, vetingu ka qenë një nga ndërhyrjet më të thella të ndërmarra ndonjëherë në sistemin e drejtësisë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtim të integritetit dhe llogaridhënies, por edhe sfida të konsiderueshme.
“Nuk ka dyshim se vetingu përbën një nga ndërhyrjet më të thella që është ndërmarrë ndonjëherë në sistemin e drejtësisë. Ai ka sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtim të integritetit dhe llogaridhënies, por njëkohësisht është shoqëruar edhe me debate, pritshmëri të larta publike, vakanca të konsiderueshme në sistem dhe vështirësi që kanë ndikuar në funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë”, tha Bogdani.
Kryetarja e KLP-së nënvizoi se sfida kryesore pas përfundimit të procesit mbetet ruajtja dhe konsolidimi i standardeve të krijuara gjatë kësaj periudhe.
“Sot, ndërsa procesi i rivlerësimit përmbyllet, sfida kryesore nuk është më vetëm vlerësimi i asaj që është arritur, por garantimi që standardet e vendosura gjatë kësaj periudhe të bëhen pjesë e qëndrueshme e kulturës institucionale të sistemit të drejtësisë. Përgjegjësia për ruajtjen dhe forcimin e këtyre standardeve kalon tashmë tek institucionet kushtetuese që qeverisin dhe mbikëqyrin sistemin”, deklaroi ajo.
Duke u ndalur te roli i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bogdani theksoi se institucioni që drejton do të vijojë të fokusohet në garantimin e një sistemi prokurorie të bazuar në meritë, integritet profesional dhe pavarësi.
“Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, rëndësia e këtij momenti qëndron tek kalimi nga logjika e një procesi të jashtëzakonshëm tek përgjegjësia e përditshme institucionale. Në këtë kuadër, sfida jonë mbetet garantimi i një sistemi prokurorie të mbështetur mbi meritën, integritetin profesional, vlerësimin objektiv të performancës dhe pavarësinë në ushtrimin e funksionit”, tha ajo.
Bogdani vlerësoi se trashëgimia më e rëndësishme e vettingut është vendosja e standardeve të reja për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Procesi i vetingut, përmes kompleksiteteve dhe risive që solli, krijoi kushtet për vendosjen e standardeve që tashmë konsiderohen të panegociueshme në sistemin e drejtësisë. Ndoshta kjo është edhe trashëgimia më e rëndësishme e këtij procesi: jo thjesht rivlerësimi i individëve, por vendosja e një standardi të ri për vetë sistemin. Një standard që duhet të vazhdojë të na udhëheqë edhe pas përmbylljes së këtij kapitulli”, deklaroi kryetarja e KLP-së.
/a.f/r.e/