E Martë, 3 Nëntor 2026

Qarku i Shkodrës përfshihet nga reshje dhe erëra të forta, rrëshqitje inertesh në disa akse në Fushë-Arrëz

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë Shkodrën që prej orës 04:00 të mëngjesit, kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor.

Sipas njoftimit të Prefektit të Qarkut Shkodër, gjatë natës janë shënuar reshje shiu dhe erëra të forta në disa zona të qarkut.

Në Bashkinë Shkodër, në rrugën “Martin Camaj” janë rrëzuar disa pemë, duke bllokuar përkohësisht trafikun në këtë segment.

Policia ka devijuar lëvizjen e mjeteve në një rrugë alternative deri në momentin ku pemët e rrëzuara në rrugë janë larguar nga punonjësit e Shërbimeve Publike.

Edhe në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet me intensitet të lartë kanë shkaktuar rënie inertesh në segmentet Fushë-Arrëz–Fierzë dhe Fushë-Arrëz–Iballë.

Aktualisht, nga pesë bashkitë e qarkut Shkodër (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz) nuk janë raportuar situata të tjera emergjente.

Strukturat e emergjencave civile dhe njësitë vendore vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›