BE dështon të arrijë marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

Udhëheqësit e BE-së nuk kanë arritur dakordësinë për përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për të financuar mbrojtjen e Ukrainës.
Një vendim për të përdorur 140 miliardë euro të aseteve ruse të bllokuara nga BE, u kundërshtua nga Belgjika, pasi ngriti shqetësime ligjore dhe teknike.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord t’i kërkojnë Komisionit Evropian të paraqesë “opsione për mbështetje financiare” për Ukrainën, pa iu referuar drejtpërdrejt aseteve të ngrira ruse.
“BE-ja është e përkushtuar për të adresuar nevojat urgjente financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, duke përfshirë mbështetjen për përpjekjet e saj ushtarake dhe mbrojtëse”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Antonio Costa, i cili kryesoi takimin, tha se të dy presidentët e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Eurogrupit, të cilët morën pjesë në takim, ranë dakord që kredia e dëmshpërblimeve respektonte të drejtën ndërkombëtare dhe se të gjitha çështjet teknike mund të zgjidheshin.
“Kjo do të thotë që kjo zgjidhje është e realizueshme”, tha Costa.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, këmbënguli se kishte pasur një marrëveshje mbi parimin e kredisë së dëmshpërblimit.
“Ka pika që duhen sqaruar dhe na duhet të bëjmë një analizë të thellë dhe të punojmë më shumë mbi to. Me fjalë të tjera, ne ramë dakord për atë që është kredia e dëmshpërblimit dhe duhet të punojmë për mënyrën se si do ta bëjmë të mundur”, tha Von der Leyen.
Mënyra se si do të financohen përpjekjet luftarake të Ukrainës do të diskutohet përsëri në një tjetër samit të BE-së në dhjetor.
Më herët, Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve të BE që të marrin këtë vendim për të financuar mbrojtjen e Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur.
“Kushdo që e vonon këtë vendim jo vetëm që kufizon mbrojtjen tonë, por edhe ngadalëson progresin e vet. Koha për të vepruar ndaj aseteve ruse është tani dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj të plotë”, u tha Zelensky udhëheqësve të BE-së, duke premtuar se Ukraina do të shpenzonte shumë para për të blerë armë evropiane.
Moska paralajmëroi se çdo veprim me asetet ruse pa pëlqimin e saj është “i pavlefshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare”, si dhe do të “nxisë përgjigje të dhimbshme”.
/rtsh.al/