Strategjia për Sigurinë Kibernetike 2025–2030, Faber: Shqipëria ka sot kapacitete të plota për t’u përballur me këto sulme

Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030 synon forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike digjitale dhe rritjen e kapaciteteve shtetërore për parandalimin e sulmeve kibernetike.
Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Floreta Faber, tha se strategjia e re ishte një domosdoshmëri dhe pjesë e përshtatjes së legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ka një këndvështrim që AKSK është një institucion i ri, por ka një përqasje të re se ai është një institucion mbi 10 vjeçar. Ka ndryshuar krejtësisht mënyra e punës së këtij institucioni në raport me mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike. Strategjia e re ishte një domosdoshmëri, përveçse një kërkesë ligjore që lidhet me ligjin e ri të sigurisë kibernetike të majit 2024 dhe është një kërkesë e BE-së të përshtatjes së gjithë legjislacionit në Shqipëri në raport me standardet e BE-së. Strategjia e re është një nga hapat më të mëdha që merr qeveria shqiptare në raport me mbrojtjen digjitale në vend. Sulmet kibernetike janë të vazhdueshme dhe në rritje, por Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshme në raport me mbrojtjen kibernetike. Strategjia e re vendos shtyllat kryesore se ku duam ne që ta shikojmë Shqipërinë në 2030 jo vetëm për infrastrukturën e institucioneve por edhe kulturën e mbrojtjes kibernetike në të gjithë popullatën e vendit. Në këtë kohë të rritjes së teknologjisë dhe njerëzit të kenë mundësi të kenë sa më shumë informacion por edhe të mbrohen nga sulmet kibernetike”, u shpreh Faber.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Faber u shpreh se sulmet kibernetike janë të vazhdueshme dhe gjithnjë e më të sofistikuara, por Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në këtë fushë.
“Është rritur ndjeshëm mënyra se si ne reagojmë ndaj këtyre sulmeve. Nëse në 2022 kishim një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar dhe kompani të huaja që na ndihmuan të përballonim sulmet kibernetike, sot kemi të gjitha kapacitete brenda vendit për të përballuar këto sulme dhe kemi rritje të kapaciteteve brenda infrastrukturës së institucioneve përgjegjëse për të përballuar sulmet kibernetike”, u shpreh ajo
Faber theksoi gjithashtu se inteligjenca artificiale po luan një rol të dyfishtë në këtë betejë, nga njëra anë i bën sulmet më të sofistikuara, por nga ana tjetër ndihmon në forcimin e mbrojtjes.
“Sulmet janë rritur dhe sofistikuar, ku AI ka mundësuar që këto sulme të bëhen më të sofistikuara, por AI ndihmon edhe në rritjen e mbrojtjes ndaj këtyre sulmeve. Siguria kibernetike është një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit dhe po investohet shumë. Ne jo vetëm kemi një nivel të lartë të mbrojtjes kibernetike por jemi edhe në paranojë për hapa të shpejtë dhe të guximshëm që kemi marrë në drejtim të fushës kibernetike”, tha Faber.
Në strategjinë e re, theksi vihet edhe tek bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, universiteteve dhe sektorit privat për rritjen e ndërgjegjësimit dhe aftësive mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.
“Ne kemi plotësuar 100% kërkesat e deritanishme në raport me kërkesat e BE-së në fushën e sigurisë kibernetike. Në këtë strategji vihet në fokus bashkëpunimi i institucionit me universitetet dhe sektorin privat në përballimin e sulmeve kibernetike dhe mbrojtjes ndaj tyre”, tha ajo.
/rtsh.al/