Qarkullonin me pistoleta, arrestohen tre të rinj në Sarandë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Sarandës në kuadër të operacionit policor të koduar “Diving” ka arrestuar tre të rinj, pasi qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak.
Policia njoftoi sot se “në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi”.
Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.
“Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit: E. D., 27 vjeç, banues në Kamzë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”; I. G., 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; E. C., 27 vjeç, banues në Kamzë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake””, njoftoi policia.
Policia njoftoi se arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/