E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buzë liqenit të Shkodrës, Shiroka ofron qetësi dhe bukuri të rralla

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Vetëm 4 kilometra nga qyteti i Shkodrës, pasi lë Urën e Bunës, të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më karakteristike dhe atraksionet më të njohura turistike të veriut të Shqipërisë.

E vendosur buzë liqenit të Shkodrës dhe në rrëzë të malit Tarabosh, Shiroka ofron një peizazh mahnitës që tërheq turistë vendas dhe të huaj.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ndau sot pamje nga kjo zonë turistike, e cila në ditët e verës mbushet me vizitorë që shijojnë qetësinë dhe bukurinë natyrore të saj.

Ajri i freskët që vjen nga Alpet dhe filtrohet nga ujërat e liqenit krijon një klimë të shëndetshme dhe tërheqëse, duke e bërë Shirokën një destinacion ideal për pushime të shkurtra, por të paharrueshme.

Shiroka ka një histori të pasur qindravjeçare, e dokumentuar nga zbulimet arkeologjike në vendin e quajtur “Ullini i Vetun” në vitin 1959, të cilat ruhen sot në Muzeun Historik të Shkodrës. Në shekullin e 19-të ajo njihej edhe për aftësitë kurative, duke u kthyer në një prej zonave më të famshme të kohës.

Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni qindra lloje bimësh, kafshësh dhe shpendësh.

Kombinimi i peizazhit natyror, klimës së freskët, pasurisë ekologjike dhe trashëgimisë kulturore e bëjnë Shirokën një ekosistem të rrallë dhe një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turizmin natyror dhe kulturor në Shqipëri. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›