Proda emëron një grua në krye të Komisariatit të Kuçovës

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në kuadër të riorganizimit të strukturave dhe forcimit të drejtimit në nivel vendor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka emëruar Komisaren Edjona Dano në detyrën e shefes së Komisariatit të Policisë Kuçovë.
Dano mbante detyrën e shefes së Seksionit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës. Ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e shefes së Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë.
Ndërkohë ish-shefi i komisariatit të policisë Kuçovë, Kleant Serdari është emëruar në Mallakastër. Ndërsa ish-shefi i komisariatit të policisë Mallakastër, Bledar Metaj u emërua shef sektori i policisë rrugore në DVP Vlorë.
Pasi mori detyrën Proda emëroi bashkëshorten e një prej dëshmorëve të Policisë së Shtetit në krye të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
Policia njoftoi se “përmes këtyre vendimeve, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda jep një mesazh të qartë: besimi te gratë në uniformë, meritokracia dhe nderimi për sakrificën nuk janë thjesht slogane, por parime që do të udhëheqin drejtimin e Policisë së Shtetit”.
/m.q/j.p/